Berisha në Strasburg: Paratë e drogës dhe krimit po përdoren për zgjedhje në Shqipëri

Sali Berisha ka zhvilluar një takim me grupin konservator në Parlamentin Europian, ku ka ngritur shqetësime të rënda lidhur me situatën politike dhe kriminale në Shqipëri. Ai ka akuzuar qeverinë shqiptare dhe kryeministrin Edi Rama për përdorimin e parave të drogës dhe krimit të organizuar për të manipuluar zgjedhjet.

Në fjalën e tij, Berisha ka përmendur arrestimin e tre liderëve opozitarë, duke e quajtur këtë një veprim politik për të frikësuar dhe mbyllur zërat kritikë. Ai ka shtuar se Shqipëria është shndërruar në një “narkoshtet” dhe ka theksuar se qeveria është e përfshirë në trafikun e drogës, duke lidhur politikanët shqiptarë me kartelët ndërkombëtarë, përfshirë atë të Sinaloas.

Berisha ka akuzuar gjithashtu Ramën për përdorimin e parave të drogës për të blerë vota, duke shpërndarë dhurata për pensionistët dhe duke kërcënuar opozitarët dhe qytetarët për të siguruar mbështetje elektorale. Ai ka thënë se situata është kaq e rëndë sa që më shumë se një milion shqiptarë kanë braktisur vendin gjatë dekadës së fundit, duke kërkuar që Europa të reagojë ndaj këtyre zhvillimeve.

Ish-kryeministri ka përfunduar duke theksuar se Shqipëria po përballet me një regjim që është më shumë një diktaturë narkotike dhe se qytetarët nuk kanë mundësi tjetër përveçse të luftojnë për të ndryshuar situatën.