
Një grabitje spektakolare ka tronditur Francën, pasi një kamion i blinduar që transportonte një ngarkesë me vlerë mbi 6 milionë euro u grabit në Verdun-sur-Garonne, rreth 40 kilometra larg Toulouse. Ngarkesa përfshinte lingota dhe monedha ari, si edhe vepra arti me vlera të mëdha.
Pas grabitjes, autorët dogjën furgonin për të zhdukur çdo provë. Policia franceze ka nisur një hetim të thelluar për zbardhjen e ngjarjes.
Një grua që kishte parë rastësisht furgonin në lëvizje, vendosi ta ndiqte dhe filmoi itinerarin me telefonin e saj. Ajo ia dorëzoi pamjet autoriteteve, duke ndihmuar hetuesit në rindërtimin e rrugës së ndjekur nga grabitësit.
Autorët ndaluan furgonin në një zonë të izoluar, ku morën vetëm pjesën e ngarkesës që përmbante rreth 3 milionë euro në ar. Ndërkohë, veprat e artit, me një vlerë që kalonte 3.5 milionë euro, nuk i tërhoqën vëmendjen e tyre. Në vend që t’i merrnin, vendosën t’i digjnin bashkë me mjetin për të zhdukur çdo gjurmë.
Policia vijon hetimet për të identifikuar dhe arrestuar autorët e grabitjes.