Partia e Lirisë i ankohet OSBE/ Tedi Blushi takon kreun e misionit vëzhgues, flet për arrestimin e Ilir Metës

Partia e Lirisë ka shprehur shqetësimin për zhvillimin e fushatës zgjedhore pa praninë e kryetarit të saj, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim. Përfaqësuesit e kësaj force politike, përfshirë Tedi Blushin, kanë zhvilluar një takim me kreun e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR për të ngritur shqetësimet në lidhje me arrestimin e Metës dhe ndikimin që kjo situatë ka në garën zgjedhore.

“Ky izolim me urdhër të tij lidhet pikërisht me zgjedhjet e 11 majit. Gjithashtu, e informuam lidhur me faktin se z. Meta, sot, edhe pse kandidat në zgjedhje, e ka të pamundur jo vetëm të bëjë fushatë, por edhe të komunikojë me votuesit,” u shpreh Blushi pas takimit.

Sipas Partisë së Lirisë, vendimi për të mbajtur Metën në paraburgim përbën pengesë të drejtpërdrejtë për të ushtruar të drejtën e tij demokratike si kandidat në zgjedhje. Për këtë arsye, subjekti politik i ka kërkuar OSBE/ODIHR-it të monitorojë me vëmendje situatën dhe të pasqyrojë në raportin përfundimtar ndikimin e kësaj ngjarjeje në procesin zgjedhor.