Aksident tragjik në Durrës, 16-vjeçari përplas për vdekje një peshkatar, makina përfundon në ujë

Një aksident tragjik ka ndodhur në Fllakë të Durrësit, ku një 16-vjeçar ka përplasur për vdekje një person dhe ka humbur kontrollin e automjetit, i cili përfundoi në ujë.

Sipas informacioneve paraprake, 16-vjeçari, i identifikuar me inicialet K. B., po drejtonte një automjet tip Volkswagen në aksin Fllakë-Bisht Kamëz kur ka përplasur këmbësorin, i cili ka humbur jetën në vendngjarje. Viktima është identifikuar si Qerim Bajrami, një peshkatar amator, i cili po gjuante peshk në ligatinën e Fllakës.

Makina e drejtuar nga i mituri ka dalë nga rruga për shkak të shpejtësisë dhe ka përfunduar në ujë. 16-vjeçari nuk ka pësuar dëmtime shëndetësore, por është zbuluar se ai nuk dispononte leje drejtimi.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të sqaruar shkaqet e aksidentit. Pjesëtarët e grupit hetimor janë duke kryer veprimet procedurale dhe po kontrollojnë kanalin pranë rrugës për të parë nëse ka të tjerë të dëmtuar nga ky aksident.

“Rreth orës 15:40, në aksin Fllak-Sektor Rinia, automjeti i drejtuar nga një 16-vjeçar ka dalë nga rruga dhe ka përplasur këmbësorin Q. B., rreth 55 vjeç, i cili ka humbur jetën në vendngjarje. I mituri është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme,” njoftoi policia.