Zbulim i jashtëzakonshëm në Itali: Tunel i lashtë mund të ketë lidhur Romën me Viterbon, mbi 80 kilometra larg

Një zbulim arkeologjik i papritur ka habitur ekspertët në Itali dhe ka ngjallur interes të gjerë ndërkombëtar: një tunel i lashtë, i gdhendur në shkëmbin vullkanik të rajonit të Tuscia-s, mund të ketë lidhur dikur qytetin e Viterbos me Romën, në një distancë prej më shumë se 80 kilometrash.

Tuneli u zbulua rastësisht gjatë punimeve nëntokësore në qendrën historike të Viterbos, kur teknikët hasën në një hyrje të fshehur në një shkëmb të fortë. Pas këtij zbulimi, arkeologët e Universitetit të Tuscias ndërhynë menjëherë për të studiuar strukturën misterioze. Sipas tyre, kjo është një gjetje unike. “Asgjë e tillë nuk është dokumentuar më parë në Itali,” u shpreh një prej specialistëve të përfshirë në eksplorim.

Tuneli ka përmasa mbresëlënëse: rreth tre metra i lartë dhe dy metra i gjerë, dhe shtrihet në drejtim të juglindjes, në drejtim të Romës. Deri më tani është konfirmuar që ai arrin deri në zonën e Sutrit, dhe ekzistojnë të dhëna se mund të përfundojë në Prima Porta, një zonë hyrëse në kryeqytetin italian.

Origjina e këtij tuneli mbetet e paqartë dhe ka nxitur një sërë teorish. Disa historianë sugjerojnë se mund të jetë një rrugë e fshehtë mesjetare që shërbente për komunikim të shpejtë dhe të sigurt mes Vatikanit dhe Viterbos, në kohën kur ky qytet ishte një nga selitë papnore. Të tjerë besojnë se mund të ketë një origjinë etruske, ndoshta për qëllime ushtarake apo evakuimi në raste rreziku.

Aktualisht, hyrja në tunel ruhet në mënyrë rigoroze për të parandaluar dëmtimet ose grabitjet e mundshme. Ekspertët po përdorin teknologji të avancuar për të hartuar me saktësi rrugëtimin e tunelit dhe për të verifikuar nëse ai shkon realisht deri në Romë.

Ky zbulim mund të rishkruajë historinë e lidhjeve antike në rajonin e Italisë Qendrore dhe njëkohësisht të sjellë një dimension të ri për turizmin arkeologjik në Viterbo, duke e kthyer zonën në një pikë referimi për studiuesit dhe vizitorët nga e gjithë bota

Avatar photo
Arveni Avdulaj
4 April, 16:09 | Përditësimi: 4 April, 16:09