Rusia me kushte të qarta për SHBA-në: Bizneset amerikane të mirëseardhura, vetëm nëse hiqen sanksionet
Kryenegociatori rus, Kirill Dmitriev, ka deklaruar se bizneset amerikane janë të mirëseardhura në Rusi, por vetëm në rast se hiqen sanksionet ndërkombëtare që rëndojnë mbi Moskën për shkak të luftës në Ukrainë.
Në një intervistë për CNN, Dmitriev theksoi se nuk ka kërkuar zyrtarisht lehtësimin e sanksioneve gjatë takimeve me zyrtarë të administratës Trump në Uashington, por shtoi se ekziston hapësirë për bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve, nëse presioni politik ndaj Rusisë zbutet.
“Ne nuk po kërkojmë asnjë lehtësim sanksionesh. Jemi të interesuar të diskutojmë mënyrat për të rritur praninë e biznesit amerikan në Rusi, nëse SHBA dëshiron të angazhohet më tepër”, u shpreh Dmitriev.
Sanksionet e vendosura nga Perëndimi kanë ndikuar ndjeshëm në ekonominë ruse, ndërsa vendet europiane kanë nënvizuar se heqja e tyre është e papranueshme pa një zgjidhje përfundimtare të luftës në Ukrainë.
Dmitriev, një bashkëpunëtor i afërt i presidentit Vladimir Putin, ka zhvilluar takime të rëndësishme edhe me zyrtarë të tjerë amerikanë, përfshirë dërguarin Steve Witkoff, i cili së fundmi ka pasur dy vizita në Moskë dhe takime direkte me presidentin rus.
Në një intervistë për agjencinë ruse TASS, Dmitriev tha se “administrata Trump kupton shqetësimet e Rusisë” dhe po diskuton opsione për rivendosjen e marrëdhënieve dhe shmangien e përshkallëzimit të tensioneve.
Ai gjithashtu përmendi përparime në fushën e energjisë, përfshirë një marrëveshje për mosgoditjen e infrastrukturës energjetike si një hap drejt de-përshkallëzimit.
Në lidhje me konfliktin në Ukrainë, Dmitriev tha se është përfshirë në bisedime diplomatike me aktorë ndërkombëtarë për të arritur një zgjidhje paqësore. Megjithatë, ai pranoi se procesi është ende në fazat e hershme dhe kërkon durim dhe angazhim nga të dyja palët.
“Zgjidhja e kësaj krize kërkon qasje të kujdesshme dhe të qëndrueshme. Ka potencial për progres, por gjithçka varet nga vullneti politik i të gjitha palëve të përfshira,” përfundoi Dmitriev.
