
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë mëngjesin e së mërkurës, kur 22-vjeçarja shqiptare, Ilaria Sula, u gjet e vdekur brenda një valixheje dhe e hedhur në një zonë pyjore.
Hetimet e policisë zbuluan se autor i krimit ishte ish i dashuri i saj, i cili nuk kishte pranuar ndarjen dhe, pas një debati të ashpër, e kishte goditur me thikë, duke i marrë jetën në mënyrë tragjike.
Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe Universiteti i Sapienzas në Romë, ku studionte Ilaria. Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, universiteti shprehu ngushëllime për familjen dhe të afërmit e saj, duke dënuar ashpër këtë akt dhune.
“Fatkeqësisht, Ilaria u gjet pa jetë. Një akt mizor dhe brutal i femicidit, që na lë pa fjalë dhe zemërthyer. Në këtë moment pikëllimi, mblidhemi rreth familjes së studentes sonë, njerëzve të saj të dashur dhe gjithë komunitetit studentor Sapienza, të cilët ditët e fundit janë bashkuar në dhimbje dhe dëshpërim.”
Kjo ngjarje ka ngritur edhe një herë alarmin për rastet e femicidit dhe dhunës ndaj grave, duke sjellë reagime të shumta në Itali dhe më gjerë.