
Kryeministri Edi Rama, gjatë ceremonisë së dorëzimit të certifikatave për rezidentët e parë të qendrës teknologjike “Duran Tech Park”, njoftoi përgatitjet për një projekt të ri inovativ në Vlorë.
Ai bëri të ditur se në zemër të qytetit po restaurohet një godinë historike, e cila do të shndërrohet në një hapësirë moderne kushtuar teknologjisë dhe inovacionit.
“Po përgatisim një infrastrukturë absolutisht ekselente në Vlorë. Një transformim rrënjësor i një ndërtese të mbetur nga vitet e tranzicionit do të kthehet në një territor të ri me legjislacionin e parkut teknologjik. Ky park do të ofrojë hapësira fizike të nivelit A për të gjithë ata që dëshirojnë të zhvillojnë praktikat e tyre në fushën e teknologjisë, duke qenë pjesë e një komuniteti inovativ,” – u shpreh Rama.
Ky projekt pritet të krijojë një ekosistem të favorshëm për zhvillimin e teknologjisë dhe sipërmarrjeve të reja, duke e pozicionuar Vlorën si një nga qendrat kryesore të inovacionit në Shqipëri.