
Konstituimi i Kuvendit të Kosovës – Vjosa Osmani cakton datën e seancës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thirrur më 15 prill seancën për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.
Sipas rregullores së Kuvendit, punimet e seancës konstituive, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, do të drejtohen nga deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri. Gjatë kësaj seance do të themelohet Komisioni për Verifikimin e Mandateve, do të bëhet betimi i deputetëve dhe më pas do të votohet për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar. Me rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit, ky grup është Lëvizja Vetëvendosje, e cila siguroi 48 mandate. Për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit nevojiten 61 vota.
Në të njëjtën seancë do të votohet edhe për Kryesinë e Kuvendit, e cila përbëhet nga pesë nënkryetarë: tre nga partitë më të mëdha parlamentare dhe dy nga komunitetet pakicë. Njëri prej nënkryetarëve do të jetë nga komuniteti serb dhe tjetri nga komunitetet e tjera pakicë.
Pas konstituimit të Kuvendit, Presidentja fton fituesin e zgjedhjeve që brenda 15 ditësh të prezantojë përbërjen e qeverisë para deputetëve. Për t’u zgjedhur, qeveria duhet të sigurojë 61 vota pro. Meqë asnjë parti nuk i ka këto vota të garantuara, negociatat për formimin e qeverisë pritet të jenë kyçe.
Nëse partia fituese nuk arrin të sigurojë shumicën, Presidentja mund t’i japë një partie apo koalicioni tjetër 10 ditë kohë për të tentuar formimin e qeverisë. Nëse edhe kjo përpjekje dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025:
• Lëvizja Vetëvendosje: 48 mandate
• Partia Demokratike e Kosovës (PDK): 24 mandate
• Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK): 20 mandate
• AAK-NISMA: 8 mandate
• Komunitetet pakicë: 20 mandate
Seanca e 15 prillit do të jetë vendimtare për të përcaktuar rrjedhën politike në Kosovë për vitet e ardhshme.