Kultivimi i grurit në qarkun Fier vijon të shënojë rënie nga viti në vit, duke reflektuar ndryshimet në strukturën e bujqësisë në një nga zonat dikur më prodhuese të vendit.
Sipas të dhënave, në vitin 2025 sipërfaqja e mbjellë me grurë ishte 8,954 hektarë, ndërsa në vitin 2026 ka zbritur në 7,127 hektarë, një tkurrje e ndjeshme prej rreth 1,800 hektarësh. Edhe prodhimi ka pësuar rënie, nga 34,884 ton në vitin 2025 në rreth 28,900 ton në 2026.
Megjithatë, vihet re një rritje e lehtë e rendimentit për hektar, nga 39 kv/ha në 2025 në mbi 40.5 kv/ha në 2026, çka tregon për përmirësim të teknikave të kultivimit apo përdorimit të inputeve bujqësore. Por kjo rritje nuk ka mundur të kompensojë uljen e sipërfaqes së mbjellë.
Në veçanti, rënia prek kryesisht grurin e butë dimëror, që përbën edhe pjesën më të madhe të prodhimit, ndërsa gruri i fortë mbetet në nivele minimale dhe pothuajse i pandryshuar.
Ekspertët e lidhin këtë tendencë me disa faktorë, si kostot e larta të prodhimit, mungesa e subvencioneve konkurruese, si dhe orientimi i fermerëve drejt kulturave më fitimprurëse, si misri apo perimet.
Dikur, Myzeqeja konsiderohej “hambari i Shqipërisë”, duke furnizuar një pjesë të madhe të vendit me drithëra. Sot, shifrat tregojnë një realitet tjetër: sipërfaqet me grurë po tkurren dhe prodhimi po bie, duke ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e kësaj kulture tradicionale në një nga zonat më pjellore të vendit.
