TIRANË – Shqipëria ndodhet në alarm të kuq për sa i përket respektimit të lirisë së qytetarëve. Një grup ekspertësh të lartë evropianë (nga Belgjika, Italia dhe Portugalia), të angazhuar nga qeveria shqiptare, kanë dorëzuar dy raporte voluminoze ku kritikojnë ashpër praktikën e gjykatave shqiptare për të përdorur burgun si masë të parë dhe jo si mjet të fundit.
Mesazhi kyç: Ndryshoni mentalitetin, jo godinat Në tryezën me Ministrinë e Drejtësisë, Gianluca Esposito nga Këshilli i Evropës ishte i prerë: “Mund të ndërtoni sa të doni burgje, por zgjidhja është te politika penale”. Sipas tij, gjykatat kanë dështuar të argumentojnë pse një person duhet të qëndrojë në qeli, duke e kthyer paraburgimin në rutinë.
4 Propozimet “Revolucionare” të Ekspertëve Për të frenuar këtë fenomen, ekspertët Theo Byl, Nicola Lettieri dhe Filipe César Marques propozojnë ndryshime drastike në Kodin e Procedurës Penale:
-
“Jo” burg për vepra të lehta (Neni 232) Të vendoset një prag i qartë: Paraburgimi të urdhërohet vetëm për krime që parashikojnë një dënim maksimal jo më pak se 5 vjet burg. Aktualisht, burgu jepet edhe për vepra banale, gjë që eksperti italian Lettieri e quan “mungesë koherence”.
-
Fund vendimeve “Copy-Paste” (Neni 228) Të hiqet termi i gjerë “dyshim i arsyeshëm” dhe të zëvendësohet me “baza të arsyeshme për prova apo indicie”. Gjyqtarët ndalohen të japin vendime standarde; ata duhet të japin arsyetim të individualizuar pse masat e tjera (si arresti shtëpiak) nuk mjaftojnë.
-
Shkurtim i afateve të qëndrimit në qeli Afati maksimal i paraburgimit (që sot shkon deri në 3 vjet) duhet të ulet:
-
Maksimumi 1 vit për vepra më pak të rënda.
-
Maksimumi 2 vjet për vepra të rënda.
-
-
Barra e provës i kalon shtetit Të mos jetë i pandehuri ai që duhet të provojë pse duhet të lirohet, por Prokuroria ajo që duhet të provojë pse ai duhet të mbahet brenda. Prokurori duhet të ketë detyrim ligjor të kërkojë edhe prova në favor të të akuzuarit.
Alternativat: Më shumë byzylykë, më pak qeli Raporti kërkon që gjykatat të aplikojnë gjerësisht masat alternative që nuk privojnë plotësisht lirinë, por garantojnë drejtësinë:
-
Monitorim elektronik (byzylykë).
-
Garanci pasurore.
-
Detyrim paraqitjeje.
-
Ndalim i daljes jashtë shtetit.
