Tre personat e arrestuar për laboratorin e drogës të zbuluar brenda një godine katërkatëshe përgjatë aksit rrugor Lezhë–Milot janë njohur me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës.
Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati rreth 60 minuta. Gjykata e cilësoi të ligjshëm arrestimin e shtetasve Arben Gjergji, 57 vjeç, dhe Arnold Gjergji, 22 vjeç, babë e bir, të dyshuar si autorë të kësaj veprimtarie kriminale, duke caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “arrest në burg”.
Ndërsa për punonjësin e OSHEE-së, Gjon Doda, u vendos masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Laboratori i drogës u zbulua mbrëmjen e së hënës. Gjatë kontrollit të ushtruar në katin e dytë të objektit, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale: 8.8 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis të tharë, 1064 bimë kanabisi, 960 fidanë të mbjellë në kubikë, 850 fara kanabisi, 106 llamba me transformator për kultivimin e bimëve narkotike, një armë zjarri automatike me dy krehra fishekësh, një pistoletë sportive me fishekë, një automjet dhe katër aparate celularë.
Po ashtu, nga kontrolli në banesat e të arrestuarve u sekuestruan 180 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një pistoletë me mulli, një armë zjarri pushkë dhe një armë sportive.
