STRASBURG – Një keqkuptim i thellë mbi terminologjinë dhe përmbajtjen e dokumenteve të Këshillit të Europës ka karakterizuar fjalimin e ish-kryeministrit Sali Berisha gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane (EPP) në Strasburg. Berisha ka sulmuar ashpër një raport mbi “terapinë e konvertimit”, duke e cilësuar atë si një plan të “Republikës së Sorosit” për të ndryshuar gjininë e fëmijëve në Shqipëri, ndërkohë që raporti në fjalë kërkon saktësisht të kundërtën: ndalimin e praktikave që dhunojnë personat LGBT.
Deklarata e Berishës: “Agresion ndaj fëmijëve” Gjatë fjalës së tij, lideri i PD-së denoncoi raportin si pjesë të një propagande të majtë ekstreme. “Mora fjalën në debatin për raportin mbi ‘terapinë konvertuese’, terapinë ç’njerëzore, një agresion i vërtetë që bëhet ndaj fëmijëve për të ndryshuar gjinitë,” tha Berisha. Ai ftoi të pranishmit të shohin Shqipërinë, ku sipas tij, “në kopshtin e lulëzuar të George Soros, fëmijëve u jepen tekste dhe objekte për t’i manipuluar në drejtim të ndryshimit të gjinisë”.
Çfarë thotë realisht Raporti? Dokumenti i hartuar nga deputetja britanike Kate Osborne për Komitetin e Barazisë, nuk promovon ndryshimin e gjinisë, por kërkon ndalimin me ligj të “terapive konvertuese”. Në terminologjinë ndërkombëtare, “terapia konvertuese” (conversion therapy) i referohet praktikave pseudoshkencore dhe shpesh të dhunshme (fetare ose psikologjike) që synojnë të detyrojnë personat homoseksualë të bëhen heteroseksualë, ose personat transgjinorë të mohojnë identitetin e tyre. Pra, raporti dënon tentativat për të “ndryshuar” orientimin e dikujt me dhunë, ndërsa Berisha e ka interpretuar gabimisht si një iniciativë që kërkon të ndryshojë gjininë e fëmijëve.
Konfuzioni mbi termat Ndërsa Berisha akuzoi Ramën dhe Sorosin se po imponojnë ndryshimin e gjinisë, raporti i KiE synon të mbrojë individët nga presioni për t’u “korrigjuar”. Këto praktika, të cilat raporti i cilëson si shkelje të të drejtave të njeriut dhe shkaktare të depresionit e vetëvrasjeve, janë të ndaluara në shumë vende perëndimore. Paradoksalisht, edhe në Shqipëri, Urdhri i Psikologut e ndalon kryerjen e terapive të tilla mbi personat LGBT.
