Detaje tronditëse kanë dalë në dritë lidhur me hakerimin e sistemit të e-maileve të SPAK, një ngjarje që ka ekspozuar jo vetëm brishtësinë kibernetike të institucionit më të rëndësishëm të akuzës, por edhe implikimin e heshtur të njerëzve të drejtësisë. Emisioni “Në Shënjestër” ka zbuluar se të paktën tre drejtues të lartë të gjyqësorit (një anëtar i Gjykatës së Lartë, një ish-prokuror i Krimeve të Rënda dhe një prokuror i Tiranës) ishin në dijeni të materialeve të vjedhura, por nuk kanë bërë kallëzim.
Fjalëkalimi qesharak: “Spak@2019” Miti i sigurisë së hekurt të SPAK ka rënë me një tentativë të thjeshtë. I akuzuari Arnold Rrokaj ka dëshmuar se nuk i është dashur asnjë aftësi e veçantë për të hyrë në e-mailet e prokurorëve. “Provova disa kredenciale… midis tyre ajo që arrita të hap ishte përdoruesi e.k, me fjalëkalim Spak@2019. Nga kurioziteti provova edhe dy përdorues të tjerë, të cilët u hapën po me këtë fjalëkalim,” – ka rrëfyer Rrokaj.
Dosjet e vjedhura: Nga Veliaj te Gjiknuri dhe “floriri” Sipas dosjes hetimore, materialet e shkarkuara përmbanin informacione sensitive për figura të larta politike si Erion Veliaj dhe Damian Gjiknuri, të dhëna për pronarin e një spitali privat, si dhe foto të disa kallëpeve floriri. Rrokaj ia ka kaluar këto të dhëna bashkëpunëtorit të tij, Zambak Gjoni, i cili më pas i ka shpërndarë te persona të tretë, përfshirë një punonjës të AKSHI-t (M.B). Ky i fundit ia ka dërguar materialin për Veliajn shtetasit Agim Ismaili, ndërsa atë për Gjiknurin një kolegeje, e cila ia përcolli një prokurori të Tiranës.
Heshtja e Prokurorit Një nga detajet më të rënda është reagimi i prokurorit të Tiranës që mori materialet. Ai ka dëshmuar se “nuk u dha rëndësi” dhe i fshiu, madje fshiu edhe bisedat me dërguesen. Avokati Redi Ramaj theksoi në emision se moskallëzimi i krimit nga këta zyrtarë përbën shkelje të rëndë, pasi ata kishin detyrimin ligjor të njoftonin se të dhënat e SPAK po qarkullonin dorë më dorë.
Lidhja me punësimet politike Dosja zbardh edhe prapaskenën e punësimit të hakerit Arnold Rrokaj. Ai dëshmon se pas largimit të Dritan Lelit nga Bashkia Vlorë, rrezikonte vendin e punës. Përmes Zambak Gjonit, ai u lidh me Agim Ismailin (marrësi i dosjes Veliaj), i cili e ndihmoi të punësohej si specialist në IKMT Vlorë.
