Inflacioni 2025/ Shqipëria fikson rritjen 2.3%, njëlloj si mesatarja e BE-së

Viti 2025 është mbyllur me një stabilizim të çmimeve. Sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK), rritja mesatare vjetore për vitin 2025 ishte 2.3%, një shifër identike me mesataren e Bashkimit Europian.

Kush na i zbrazi xhepat në Dhjetor? Ndryshe nga matjet kombëtare ku qiraja është shpesh “koka e derrit”, në matjen e harmonizuar (që përfshin edhe shpenzimet e të huajve në Shqipëri), rritja e çmimeve u udhëhoq nga qejfi dhe argëtimi.

Në Dhjetor 2025, inflacioni ishte +2.2%. Ja si ndryshuan çmimet sipas grupeve:

  • Rritja më e madhe: “Argëtim dhe kulturë” u rrit me 7.6%.

  • Mallra të ndryshme: +2.6%.

  • Pije alkoolike/Duhan: +2.5%.

  • Arsimi & Hotele/Restorante: +2.2%.

  • Ulja e vetme: “Transporti” u bë më i lirë me -0.8%.

Dallimi i rëndësishëm: IÇK vs IHÇK Pse kemi dy indekse?

  1. IÇK (Indeksi i Çmimeve të Konsumit): Mat shpenzimet e familjeve shqiptare.

  2. IHÇK (Indeksi i Harmonizuar): Përdoret për krahasim me Europën. Ai mat shpenzimet brenda territorit, pavarësisht nëse i bën një familje shqiptare apo një turist i huaj (por përjashton qiranë e imputuar). Fakti që IHÇK u rrit nga “Argëtimi” tregon se kërkesa e vizitorëve dhe jeta sociale kanë pasur ndikim të fortë në çmime.


Shqipëria në Hartën e Europës

Me një inflacion prej 2.3% në Dhjetor, Shqipëria pozicionohet ekzaktësisht në mesataren e Bashkimit Europian, duke lënë pas luhatjet e forta të viteve të kaluara.

Kampionët e shtrenjtimit dhe “parajsat” e çmimeve:

  • Zona e Kuqe (Mbi 3%): Rumania kryeson me një rritje drastike prej 8.5%, e ndjekur nga Sllovakia, Estonia dhe Kroacia. Këto vende po vuajnë ende kostot e larta të energjisë dhe ushqimeve.

  • Zona e Mesme (Rreth 2.3%): Shqipëria është në shoqëri të mirë me Spanjën, Greqinë, Holandën dhe Italinë.

  • Zona e Ftohtë (Nën 1%): Franca dhe Zvicra kanë inflacion minimal, ndërsa Qiproja shënoi pothuajse 0%, duke treguar stanjacion të kërkesës.

Avatar photo
Albin Hoxha
20 January, 11:12 | Përditësimi: 20 January, 11:12