Rama “gozhdon” Fevziun: Të pengoi dëbora të kërkosh falje? Gënjeve për 7 ministrat

Kryeministri Edi Rama ka rihapur polemikën me gazetarin Blendi Fevziu, duke i kërkuar publikisht të kërkojë ndjesë për atë që Rama e quan një “gënjeshtër të llojit shpifje”.

Debati lindi pas deklaratës së Fevziut në emisionin “Opinion”, ku ai pretendoi se dispononte fakte që 7 ministra ndodheshin në udhëtime private jashtë shtetit gjatë fundjavave të emergjencës, ndërkohë që në televizion transmetoheshin kaseta të regjistruara sikur ishin në inspektime terreni.

“Influenceri” dhe Ministrat në terren

Me tone ironike, Rama shkruan se “dëbora e kudondodhur dhe kalendari i ngjeshur i influencerit” (duke iu referuar udhëtimeve të shpeshta të Fevziut) e kanë penguar gazetarin të merret me të vërtetën. Kryeministri këmbëngul se ministrat kanë qenë në krye të detyrës “ditë e natë” gjatë vorbullës atmosferike që përfshiu vendin, duke hedhur poshtë kategorikisht akuzën e Fevziut.

Thirrja: Kërko falje, mos abuzo me besimin e shikuesve

Rama thekson se edhe pse shumica e shikuesve të “Opinion” mund të jenë kundërshtarë të tij politikë, ata meritojnë të mos gënjehen nga moderatori.

“E kam detyrim t’i bëj apel Fevziut që t’i kërkojë falje shikuesve të përbashkët dhe të mos fshihet pas analizave të motit… Nëse Fevziu nuk i mbron dot nga shpifësit që fton aty, minimalisht nuk duhet t’i abuzojë edhe vetë,” shkruan Rama.

Kjo përplasje vjen në një moment të tensionuar politik, ku qeveria po përballet me kritika për menaxhimin e përmbytjeve dhe infrastrukturës gjatë motit të keq.

Avatar photo
Albin Hoxha
13 January, 11:03 | Përditësimi: 13 January, 11:03