Temperatura të ulëta, moti i acartë dhe borë në Qarkun e Elbasanit
Temperaturat e ulëta dhe moti i acartë vijojnë të mbajnë të “ngrirë” Qarkun e Elbasanit, ku në zonat malore termometri ka shënuar vlera ekstreme në -10°C. Kushtet dimërore janë ndjerë veçanërisht në aksin Elbasan–Qafë Thanë, ku reshjet e dëborës janë shoqëruar me temperatura që kanë zbritur deri në -15°C. Pavarësisht këtyre kushteve, ndërhyrja e mjeteve borëpastruese dhe hedhja e kripës kanë bërë të mundur mbajtjen hapur të rrugës dhe qarkullimin normal të automjeteve.
Në drejtimet Elbasan–Gjinar dhe Elbasan–Tiranë, përmes aksit të vjetër nga Krraba, nuk raportohet prezencë dëbore, por autoritetet kanë vijuar kriposjen në segmentet problematike për të shmangur ngricat dhe aksidentet.
Situata hidrike në territor paraqitet e qetë. Prurjet e lumit Shkumbin dhe të përroit të Zaranikës janë në rënie dhe, sipas të dhënave zyrtare, nuk përbëjnë rrezik për zonat përreth.
Nga ana tjetër, menaxhimi i prurjeve po vijon në Hidrocentralin e Banjës, ku që prej mesditës së djeshme po realizohen shkarkime të kontrolluara. Aktualisht shkarkimi përmes portave arrin në 290 m³/sek, ndërsa me prodhimin energjetik shifra totale shkon në 390 m³/sek. Autoritetet pritet të vendosin për vijueshmërinë e këtij procesi në orët e para të mëngjesit.
Probleme janë konstatuar edhe në furnizimin me energji elektrike në disa njësi administrative të Bashkisë Gramsh. Njësitë Tunjë, Kushovë dhe Skënderbegas janë prekur nga defekte në rrjetin shpërndarës, ndërsa OSHEE bën me dije se ekipet janë angazhuar për normalizimin e situatës brenda orëve në vijim.
