Përmbytjet e Vjosës godasin furnizimin me ujë – 6 nga 8 puse në Kafaraj nën ujë
Situata e përmbytjeve nga lumi Vjosa ka sjellë pasoja serioze edhe në furnizimin me ujë të pijshëm për qytetin e Fierit. Sipas informacioneve zyrtare, 6 nga 8 puset e ujit të pijshëm në zonën e Kafarajt, të cilat furnizojnë qytetin e Fierit, janë përmbytur si pasojë e rritjes së ndjeshme të nivelit të lumit.
Drejtori i SH.A. Ujësjellësit Fier, Gentjan Alikaj, në një prononcim për mediat, është shprehur se situata po ndiqet minutë pas minute dhe se strukturat teknike janë në terren për të vlerësuar ndikimin e përmbytjeve në sigurinë dhe cilësinë e ujit. Sipas tij, përmbytja e puseve ka detyruar ndërmarrjen të marrë masa emergjente për të shmangur ndotjen dhe për të garantuar, sa të jetë e mundur, furnizimin për qytetarët.
Alikaj theksoi se për shkak të kësaj situate, mund të ketë ndërprerje ose reduktime të furnizimit me ujë të pijshëm në disa zona të Fierit, duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve deri në normalizimin e gjendjes. Paralelisht, po merren masa për aktivizimin e burimeve alternative dhe për dezinfektimin e rrjetit, sapo niveli i ujit të ulet.
