Situata paraqitet kritike në zonën e Çervenit, në bashkinë Fier, ku reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar dëmtime serioze në argjinaturën mbrojtëse të lumit Vjosë, duke rritur ndjeshëm rrezikun për përmbytje.
Menjëherë pas sinjalizimit, në terren kanë mbërritur strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Fier, së bashku me kryebashkiakun Armando Subashi, të cilët po ndjekin nga afër zhvillimet dhe po koordinojnë ndërhyrjet për stabilizimin e situatës.
Në riparimin e argjinaturës janë angazhuar dy fadroma dhe mjete të tonazhit të rëndë, të cilat po punojnë për përforcimin e segmenteve më të rrezikuara nga dalja e lumit nga shtrati. Megjithatë, reshjet që vijojnë me intensitet të lartë po e vështirësojnë ndjeshëm ndërhyrjen e mjeteve dhe ritmin e punimeve.
Autoritetet vendore bëjnë me dije se situata është në monitorim të vazhdueshëm, ndërsa banorëve të zonave përreth u kërkohet të tregojnë kujdes maksimal dhe të jenë të gatshëm për çdo njoftim nga strukturat e emergjencës.
Bashkia Fier garanton se do të vijojë ndërhyrjen pa ndërprerje, deri në eliminimin e rrezikut dhe sigurimin e plotë të argjinaturës, me qëllim shmangien e përmbytjeve dhe mbrojtjen e banesave dhe tokave bujqësore.
