Moti i keq/ Balluku bën bilancin: Probleme me rrugët në Veri dhe energjinë në Durrës, nisin shkarkimet në Kaskadën e Drinit

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka publikuar raportin e mesditës mbi situatën e krijuar nga reshjet intensive që kanë përfshirë vendin. Sipas të dhënave zyrtare, problematikat më të mprehta janë regjistruar në infrastrukturën rrugore të veriut, në furnizimin me energji në rajonin e Durrësit dhe në menaxhimin e prurjeve të larta në Kaskadën e Drinit.

Infrastruktura Rrugore: Rrëshqitje dhe Dëborë

Zona veriore e vendit është prekur nga rënia e gurëve dhe inerteve, ndërsa në aksin Bogë-Theth janë raportuar reshje dëbore. Kontraktorët ndodhen në terren për pastrimin e akseve.

Probleme specifike janë raportuar në akset:

  • Bajram Curri–Valbonë dhe Bajram Curri–Fierzë;

  • Kukës–Krumë dhe Kukës–Shishtavec;

  • Dushaj–Lekbibaj (km 4), ku ka ndodhur një rrëshqitje e cila po vështirëson qarkullimin.

  • Në Shqipërinë e Mesme, aksin Vorë-Maminas (km 2) raportohet prezencë uji në trupin e rrugës.

Energjia: Durrësi më i prekur, rrezikohet Nënstacioni i Rrashbullit

Moti i keq ka shkaktuar defekte në rrjetin e shpërndarjes, ku aktualisht raportohen 22 fidera jashtë pune në rang vendi. Rajoni më i prekur është Durrësi, për shkak të prezencës së ujit në kabina elektrike.

Një situatë delikate paraqitet në Nënstacionin e Rrashbullit (220/110 kV), ku ka prezencë të shtuar uji në sheshin e nënstacionit. Ekipet e OST dhe Emergjencat Civile po punojnë për largimin e ujit. Linjat që furnizojnë hidrovorët janë në funksion, me përjashtim të një segmenti në Synej të Kavajës.

Kaskada e Drinit: Punë me kapacitet të plotë dhe shkarkime

Reshjet kanë sjellë prurje të larta në hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës, pa tendencë rënieje. Koorporata po operon me kapacitet të plotë me 9 agregate në punë. Ministria konfirmon se krahas prodhimit, kanë nisur edhe shkarkimet e detyrueshme për të garantuar sigurinë e digave, duke mbajtur nivelet brenda kuotave të lejuara.

Furnizimi me Ujë dhe Kanalizimet

Në rajonin e Durrësit situata vlerësohet e rënduar dhe me rrezik përkeqësimi. Niveli i kanalit të hidrovorit ka arritur kuotat maksimale, ndërsa pompat po punojnë me kapacitet të plotë. Në rajonet e tjera, situata paraqitet e qëndrueshme.

Transporti Detar dhe Ajror

  • Porti Durrës: Vijon puna normalisht.

  • Porti Vlorë: Janë pezulluar lundrimet për anijet e vogla dhe nuk ka pasur nisje tragetesh.

  • Aeroporti i Rinasit: Operimet vijojnë normalisht, pavarësisht kushteve të rënduara atmosferike.

Avatar photo
Albin Hoxha
6 January, 14:28 | Përditësimi: 6 January, 14:28