Pas raportimeve në media se Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka nisur një procedurë verifikimi për pasurinë e Presidentes Vjosa Osmani, Presidenca ka dalë me një reagim zyrtar të prerë, duke e lidhur këtë situatë me kontekstin politik aktual.
Osmani: “Mirëpresim fakte, jo njollosje”
Përmes këshilltarit për media, Bekim Kupina, Presidentja Osmani ka bërë të ditur se nuk i trembet asnjë kontrolli, për sa kohë ai bëhet mbi baza ligjore dhe jo me prapavijë.
“Presidentja Osmani mirëpret çfarëdo verifikimi nga cilido institucion, që është i bazuar në pavarësi, paanshmëri, integritet, ligj dhe fakte të vërteta,” tha Kupina.
Megjithatë, reagimi përmbante edhe një kundërakuzë të fortë. Presidenca la të kuptohet se ky moment mund të jetë pjesë e një skenari të orkestruar, duke theksuar se nuk do të pranojnë “fushata njollosjesh, të cilat dihet mirëfilli pse po ndodhin në këtë fazë”.
Heshtja e Agjencisë
Nga ana tjetër, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka zgjedhur të ruajë hermetizmin. Në përgjigjen e tyre për mediat, ata as nuk e kanë pohuar dhe as nuk e kanë mohuar nisjen e procedurës ndaj Presidentes, duke deklaruar se “në këto momente nuk mund të japin asnjë koment”.
