Duke filluar nga janari 2026, tregu i sigurimeve të mjeteve në Shqipëri pëson ndryshimin më rrënjësor të viteve të fundit. Hyn zyrtarisht në fuqi sistemi “Bonus-Malus”, i cili shfuqizon tarifat fikse dhe vendos parimin: “Sa më i kujdesshëm në timon, aq më pak paguan”.
Viti 2025 u konsiderua si “Viti 0” për mbledhjen e të dhënave, ndërsa tani nis zbatimi financiar i tyre.
7 Faktorët që përcaktojnë çmimin
Tashmë, çmimi i policës së sigurimit nuk do të jetë standard, por do të llogaritet bazuar në një formulë komplekse që përfshin 7 faktorë risku:
-
Historiku i aksidenteve: (Faktori kryesor – kush ka shkaktuar dëme, paguan më shtrenjtë).
-
Fuqia motorike: (Mjetet e fuqishme konsiderohen me risk më të lartë).
-
Mosha e shoferit: (Shoferët e rinj penalizohen).
-
Eksperienca në drejtim: (Vitet e patentës).
-
Vjetërsia e mjetit.
-
Përdorimi i mjetit.
-
Qarku i regjistrimit.
Debati për Qarqet: Tirana paguan më shumë
Një nga pikat më të debatuara, e cila është kundërshtuar edhe në komisionet parlamentare, është faktori gjeografik.
Sipas rregullores së re, qytetarët që e kanë regjistruar mjetin në qarqe me trafik më të ulët si Berat, Dibër apo Kukës, do të përfitojnë ulje (bonus), pasi risku i aksidenteve atje është më i vogël. Nga ana tjetër, drejtuesit e mjeteve në Tiranë dhe qarqet e tjera të mëdha do të penalizohen me tarifa më të larta, për shkak të dendësisë së trafikut dhe incidencës së lartë të aksidenteve.
