Kaos në Aeroportin e Bergamos/ 2 mijë pasagjerë të bllokuar në kontrollin e pasaportave, shkak mungesa e policisë

Një situatë kaotike është regjistruar ditën e sotme në Aeroportin e Bergamos (Orio al Serio) në Itali, ku mijëra udhëtarë kanë mbetur të bllokuar në zonën e tranzitit.

Sipas raportimeve dhe pamjeve të siguruara nga media, rreth 2.000 pasagjerë janë detyruar të presin në radhë për të paktën dy orë në zonën e kontrollit të pasaportave. Kjo situatë ka shkaktuar vonesa të konsiderueshme në nisjen e fluturimeve dhe nervozizëm të lartë mes udhëtarëve.

Mungesa e efektivëve

Shkaku kryesor i këtij kolapsi raportohet të jetë mungesa e theksuar e oficerëve të policisë kufitare në sportele. Numri i reduktuar i personelit ka bërë të pamundur përballimin e fluksit të lartë, duke ngadalësuar në mënyrë drastike procedurat e verifikimit të dokumenteve.

Pavarësisht situatës së rënduar, autoritetet aeroportuale ende nuk kanë dalë me një reagim zyrtar për kohën e normalizimit të fluksit.

Avatar photo
Albin Hoxha
27 December, 13:44 | Përditësimi: 27 December, 13:44