Fier – Fermerët e Boçovës kallëzojnë në Polici zaptimin e tokave: “30 vite që i punojmë, na morën pronën”

Screenshot

Pas protestës së zhvilluar tre ditë më parë për zaptimin e tokave në fshatin Boçovë, njësi administrative Levan, 14 familje fermere i janë drejtuar sot Komisariatit të Policisë Fier për të depozituar një kallëzim kolektiv ndaj kompanisë “Bervi Construksion”. Kjo kompani, në pronësi të bashkëshortes së Pëllumb Salillarit, po investon në zonë për ndërtimin e një parku me panele diellore.

Fermerët pretendojnë se prej tre dekadash kanë punuar dhe kultivuar këto toka, të cilat i disponojnë me ligjin 7501 dhe me AMTP të rregullt, ku – sipas tyre – janë të përcaktuara si prona dhe jo thjesht përdorim. Ata shprehen të indinjuar se ndërsa prej 30 vjetësh paguajnë taksat dhe kërkojnë prej institucioneve pajisjen me certifikatë pronësie, mësojnë se një kompani private e ka marrë tashmë certifikatën.

Në prononcimin e tij për mediat, fermeri Sandër Muja kërkoi ndërhyrjen e organeve shtetërore dhe të drejtësisë për të zgjidhur situatën që, sipas tij, rrezikon t’u marrë të vetmin burim të ardhurave.
Endemi prej 3 dekadash nëpër institucione për t’u pajisur me certifikatë pronësie, dhe befas mësojmë që prej një viti certifikatën e ka marrë një kompani private. Këto toka i punojmë me mund dhe i kemi me dokumente të rregullta. Nuk do të lejojmë kurrë që mbi tokat tona të mbjella me grurë të hidhen gurë”, u shpreh Muja.
Fermerët deklaruan se do të vijojnë betejën e tyre në të gjitha instancat ligjore dhe janë të vendosur të mos heqin dorë nga tokat që, sipas tyre, i kanë mbajtur gjallë prej vitesh.
Avatar photo
Dallandyshe Hoxha
5 December, 18:56 | Përditësimi: 5 December, 18:56