Pas një jave me reshje intensive dhe daljen nga shtrati të lumenjve Vjosë, Seman dhe Shkumbin, situata në Qarkun e Fierit po shkon drejt normalizimit. Sipas të dhënave të fundit nga Emergjencat Civile të prefekturës, nivelet e lumenjve janë në rënie.
Ndërkohë, Drejtoria e Bujqësisë ka hartuar një listë paraprake të dëmeve në kulturat bujqësore, listë e cila pritet të zgjerohet me tërheqjen e ujërave nga tokat e përmbytura.
- 1.2 hektarë luleshtrydhe
- 11 hektarë ullishte
- 4 hektarë jonxhë
- 4 hektarë drithëra
Toka të përmbytura janë raportuar në Frakull, Levan, Mallakastër dhe Tërbuf.
Specialistët e Drejtorisë së Bujqësisë pritet të dalin në terren për të evidentuar dhe inventarizuar dëmet e raportuara nga fermerët, me synim përfshirjen e tyre në listat e kompensimeve nga qeveria.
Në Qarkun e Dibrës reshjet janë ndërprerë, por temperaturat kanë pësuar rënie të ndjeshme, duke shënuar 3°C në orët e mëngjesit. Në zonat malore mbi 900 metra lartësi ka rënë borë, duke prekur disa njësi administrative, por pa krijuar probleme në qarkullim. Ndërkohë, firmat kontraktore vijojnë punimet për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga rrëshqitjet e inerteve dhe daljet e përrenjve malorë në rrugët rurale.
