Malaj: Ekonomia shqiptare në 6 mujorin e parë të vitit u rrit me 3.6%, papunësia në ka rënë në minimum historik

Ministri i Financave Petrit Malaj thotë se ekonomia shqiptare ka vijuar trendin pozitiv edhe 6 muajt e parë të vitit, pavarësisht sfidave, duke u rritur me 3.6%. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Shefen e Misionit,  Anke Weber, dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mbi analizën e ecurisë së ekonomisë dhe financave shqiptare, ministri Malaj tha se parashikimi për 2025 mbetet optimist me rritje 3.9%

Sipas tij, institucionet fiskale dhe monetare kanë treguar maturitet në hartimin e politikave që kanë zbutur ndikimin e goditjeve të jashtme dhe kanë mbështetur stabilitetin makroekonomik. Malaj theksoi se projektet e mëdha në infrastrukturë dhe energji do të kenë rol të rëndësishëm në shtimin e aktivitetit ekonomik.

“Vitet e fundit kanë qenë sprovë për ekonominë tonë, por ka dëshmuar se ka kapacitet për tu përshtatur dhe për të mbrojtur trajektoren e zhvillimit ekonomik, institucionet tona në aspektin fiskal dhe monetar kanë treguar maturitet në hartimin e politikave që kanë ndihmuar në minimizimin e kostove të ardhura nga goditjet e jashtme. Në 6 mujorin e  parë të 2025, ekonomia shqiptare është zgjeruar me 3.65%. ka qenë rritje gjithëpërfshirëse duke prekur të gjithë sektorët e ekonomisë. Parashikimi për 2025 mbetet optimist me rritje 3.9%. Projektet në infrastrukturë dhe energji do kenë ndikim pozitiv në rritjen ekonomike në vendin tonë”, tha Malaj.

Malaj tha se papunësia ka rënë në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë – 8.5%, ndërsa punësimi po rritet në mënyrë të qëndrueshme.

“Papunësia ka rënë në minimumin historik 8.5% dhe punësimi rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe pagat po përmirësohen gradualisht në të gjithë sektorët. Rritja ekonomike po përkthehet në më shumë mirëqenie për qytetarët e vendit tonë. Inflacioni vijon të mbetet i ulët, mesatarja për 2024 dhe gjatë 10 muajve të parë të 2025 është në masën 2.2%. Turizmi vazhdon të jetë motori kryesor i eksporteve shqiptare, me të ardhura që kanë rritur me 7.7% gjatë gjysmës së parë të vitit. Sektori do jetë kontribuuesi kryesor në bilancin  e shërbimeve”, tha Malaj.

Avatar photo
Albin Hoxha
14 November, 14:07 | Përditësimi: 14 November, 14:07