Drejtori i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, Blendian Dalipi, është denoncuar në SPAK për abuzime me tendera publikë dhe konflikt interesi në bashkëpunim me ministren Belinda Balluku.
Afera e parë: Koncesioni Milot-Thumanë
Në shkurt 2023, bashkimi i kompanive “Gener 2”, “Illyrian Consulting Engineers” dhe “IDK Konstruksion” – në pronësi të Bajram Dalipit, babait të Blendianit – fitoi koncesionin për segmentin rrugor Milot-Thumanë. Për të shmangur konfliktin e interesave, Balluku ia delegoi firmosjen zëvendësministrit Ami Kozeli, por në fund kontratën e miratoi vetë ajo.
Afera e dytë: Tenderat publikë
Kompania “IDK Konstruksion” ka fituar dhjetëra tendera publikë pas vitit 2015 me vlera që arrijnë dhjetëra miliona euro nga ministria e Ballukut dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Afera e tretë: Përdorimi politik i OSHEE-së
Administrata e OSHEE-së është akuzuar se u shfrytëzua gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit për të mbështetur interesat e Ballukut dhe Partisë Socialiste.
Afera e katërt: Parku fotovoltaik
Familja e Blendian Dalipit ka përfituar me leje speciale për ndërtimin e një parku fotovoltaik me miratimin e Ballukut, në një tjetër rast të përfitimeve private nën mbrojtjen e institucioneve shtetërore.
Megjithë denoncimet e shumta, SPAK vazhdon të mos ndërmarrë veprime konkrete për hetimin e këtyre aferave.
