
Një zhvillim i pazakontë në sistemin e drejtësisë ka ngritur tensionet mes dy institucioneve më të larta gjyqësore në vend. Gjykata e Lartë ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Holta Zaçaj nga shqyrtimi i kërkesës së Naureda Llagamit në Gjykatën Kushtetuese, duke u përpjekur të ndikojë në mënyrën se si Kushtetuesja trajton këtë çështje.
Në qendër të debatit është procesi i përzgjedhjes së anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese. Edhe pse kandidatja Naureda Llagami ishte më e votuara me tre vota më shumë se Asim Vokshi, një prej votave të saj u shpall e pavlefshme nga komisioni teknik i sekretarëve të Gjykatës së Lartë.
Pas kësaj, Gjykata e Lartë po ushtron presion për betimin e menjëhershëm të Asim Vokshit, duke e konsideruar procesin të mbyllur, ndërsa Llagami po ndjek rrugën ligjore për të njohur rezultatin e saj si fituese.
Në një shkresë të datës 15 tetor, Gjykata e Lartë i kërkon Kushtetueses përjashtimin e gjyqtares Holta Zaçaj me pretendimin se pjesëmarrja e saj “krijon konflikt interesi” dhe “rrezikon paanshmërinë objektive” të trupit gjykues.
Por kjo lëvizje është cilësuar nga ekspertët si një ndërhyrje e paprecedentë në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, pasi një institucion më i ulët në hierarki tenton të diktojë mënyrën e shqyrtimit të një çështjeje që i takon ekskluzivisht Kushtetueses.
Dokumentet dhe incizimet e publikuara nga Top Channel zbulojnë se në procesin e votimit për kandidaturat, kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi ka injoruar zërat kundërshtues të gjyqtarëve dhe ka lejuar hedhjen poshtë të një vote në favor të Llagamit.
Kjo përplasje e re mes Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese po thellon krizën e besueshmërisë në sistemin e drejtësisë, duke ngritur dyshime mbi integritetin institucional dhe ndërhyrjet në proceset e përzgjedhjes së anëtarëve të organeve më të larta kushtetuese.