
Një superoperacion i policisë greke, i koordinuar me Prokurorinë Europiane, ka shkatërruar një nga linjat më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të mallrave kontrabandë. Në portin e Pireut u sekuestruan 2,435 kontejnerë, ndërsa rreth 350 të tjerë janë ende për verifikim.
Operacioni konsiderohet si më i madhi i këtij lloji në historinë e Bashkimit Europian. Vlera e mallrave të sekuestruara llogaritet në 250–300 milionë euro, ndërsa dëmi i shkaktuar ekonomive europiane nga shmangia e taksave dhe TVSH-së kap shifrën e afro 800 milionë eurove.
Mes kontejnerëve të bllokuar janë 500 të ngarkuar me skuterë elektrikë, si dhe dhjetëra të tjerë me pajisje elektrike, veshje, këpucë dhe mallra të tjera industriale. Dyshohet gjithashtu se një pjesë e tyre përmbanin cigare dhe produkte të falsifikuara.
Hetimet kanë zbuluar se kontrabanda kalonte përmes terminalit të kompanisë kineze COSCO në portin e Pireut, me mallrat që deklaroheshin ndryshe nga çfarë ishin realisht dhe zhdoganoheshin me kode të rreme, duke krijuar evazion fiskal në përmasa gjigante.
Prokuroria Europiane ka ngritur dyshime se bëhet fjalë për një skandal të përmasave shtetërore ku mund të jenë të përfshirë edhe eksponentë qeveritarë kinezë. Përfituesit kryesorë të kësaj kontrabande janë kompani kineze të shpërndara në vendet e Europës, ndërsa mes ngarkesave të sekuestruara rezultojnë edhe dhjetëra kontejnerë me destinacion Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.
Deri tani janë arrestuar dy doganierë të portit të Pireut dhe pesë agjentë doganorë, ndërsa priten akuza edhe ndaj subjekteve tregtare të përfshira në këtë rrjet kontrabande.