Pezullohen nga detyra 2 punonjës policie në Tiranë për vepra të ndryshme penale

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka pezulluar nga detyra 2 punonjës policie. Pezullimet u vendosën pas nisjes së hetimeve disiplinore për punonjësin e Policisë, Inspektor A. K., me detyrë Ndihmësspecialist për Operacionet Policore në Seksionin për Operacionet Policore në Komisariatin e Policisë Nr. 5, Tiranë, për veprat penale:

“Përdorim i statusit të punonjësit të Policisë, me qëllim krijimin e përfitimeve për vete ose për të tjerët”, dhe “Raste të tjera të sjelljes që diskreditojnë imazhin dhe dëmtojnë besimin e publikut te Policia e Shtetit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës”

Ditën e djeshme, shtetasi A. K. dhe dy shtetas të tjerë janë kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe doganore të Kosovës, në fshatin Merdarë, duke transportuar 1 milion euro të padeklaruara tek autoritetet doganore, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni.

Gjithashtu, u vendos pezullimi për punonjësin e Policisë, Inspektor K. Gj., me detyrë Trupë Shërbimi Operacionale në Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, për veprën penale: “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”.

Më datë 21.02.2026, dyshohet se shtetasi K. Gj. ka goditur një shtetas të shoqëruar në ambientet e Stacionit të Policisë Patos, me pretendimin se i shoqëruari ishte konfliktuar në një market në Patos me disa persona. Gjatë konfliktit, kishte ofenduar bashkëshorten e shtetasit K. Gj., e cila ishte punonjëse e marketit.

Krahas hetimit administrativ që po kryhet nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po vijon hetimin penal ndaj tyre.

Avatar photo
Dallandyshe Hoxha
25 February, 14:42 | Përditësimi: 25 February, 14:42