BUKURESHT – Një defekt i mundshëm në sistemet inteligjente të drejtimit të mjetit po hetohet si shkaku kryesor i aksidentit fatal në Rumani, ku humbën jetën 7 tifozë të PAOK-ut, mes tyre edhe një shtetas shqiptar. Sipas dëshmisë së njërit prej të mbijetuarve, dhënë mjekut grek Dimitris Koukoulas, drejtuesi i furgonit nuk ka mundur të shmangë përplasjen pasi “timoni u bllokua gjatë parakalimit për shkak të sistemit të asistencës së korsisë (Lane Keeping Assist)”.
Misteri i “timonit të bllokuar” Dëshmia e të plagosurit ka hapur një debat teknik mbi sigurinë e sistemeve moderne të automjeteve. I riu pretendon se sistemi elektronik ndërhyri gabimisht gjatë manovrës, duke e bërë të pamundur kthimin e mjetit në korsinë e duhur. Megjithatë, ekspertët e sigurisë rrugore ngrenë dyshime mbi këtë version. Sipas protokolleve standarde, “Lane Keeping Assist” çaktivizohet automatikisht në momentin që shoferi ndez sinjalin e kthesës (fshirësen), pasi sistemi e njeh manovrën si të qëllimshme. Pamjet filmike të aksidentit tregojnë qartë se furgoni e kishte të ndezur sinjalin në momentin e devijimit fatal, çka teorikisht duhet ta kishte bërë sistemin pasiv.
Dinamika e përplasjes fatale Aksidenti i rëndë ndodhi në rrugën DN6–E70, pranë Lugojt. Kamerat e sigurisë së një kamioni regjistruan momentin kur furgoni i zi, pasi parakaloi, tentoi të hynte në korsinë e tij, por papritur devijoi majtas, duke u përplasur kokë më kokë me një kamion që vinte përballë. Përplasja ishte aq e dhunshme sa mjeti doli nga rruga, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të 7 personave dhe plagosjen e 3 të tjerëve, të cilët ishin nisur drejt Francës për të ndjekur ekipin e zemrës.
Çfarë është Asistenca e Korsisë? Ky është një sistem sigurie që përdor kamera për të lexuar vijat e bardha të rrugës. Nëse mjeti shkel vijën pa sinjalizim, sistemi ndërhyn lehtë në timon për ta rikthyer makinën në qendër. Hetimi zyrtar pritet të zbardhë nëse pati një defekt teknik apo nëse bëhet fjalë për gabim njerëzor.
