Reshjet e shiut përmbytin Fierin: 27 banesa nën ujë, Vjosa në nivel kritik dhe rrezikohet furnizimi me ujë i qytetit

Situata nga përmbytjet në qarkun e Fierit paraqitet shqetësuese si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që vijojnë prej disa ditësh. Deri më tani, 27 banesa janë përfshirë nga uji, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe vështirësi për banorët.

Sipas të dhënave zyrtare, në fshatrat Kashisht, Adë, Kafaraj, Cerven dhe Ferras janë përmbytur rreth 200 hektarë tokë bujqësore brenda argjinaturave. Ndërkohë, lumenjtë Seman dhe Shkumbin paraqiten në rritje të vazhdueshme të niveleve të ujit.

Në rrezik të lartë është edhe lumi Vjosë, pasi prurjet në Urën e Mifolit kanë kaluar pikat e matjes. Aktualisht, niveli i ujit ka arritur pikën kritike përgjatë gjithë gjatësisë së argjinaturës, duke rritur ndjeshëm rrezikun për dalje nga shtrati.

Si pasojë e prurjeve të Vjosës, ujë ka depërtuar edhe në Stacionin e Pompimit të Kafarajt, në Njësinë Administrative Frakull, prej nga furnizohet me ujë të pijshëm qyteti i Fierit. Për arsye sigurie, UKF ka stakuar disa nga pompat pranë lumit dhe po operon me kapacitet të reduktuar nga puse të tjera më të largëta, çka ka sjellë ulje të furnizimit me ujë për qytetin.

Autoritetet vendore dhe strukturat e emergjencës janë në monitorim të vazhdueshëm të situatës, ndërsa u bëhet thirrje banorëve në zonat e rrezikuara të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve përkatëse.

Avatar photo
Arveni Avdulaj
8 January, 08:11 | Përditësimi: 8 January, 08:11