Tension në Vlorë/ “I paçi haram votat”, qytetarët tentojnë të hyjnë me forcë në Bashki pas 5 ditësh pa ujë

Situata në Vlorë është përshkallëzuar mëngjesin e sotëm, ku protesta e banorëve për mungesën e ujit të pijshëm është zhvendosur para godinës së Bashkisë, duke u shoqëruar me përplasje fizike dhe tone të ashpra.

Prej pesë ditësh, qyteti vuan mungesën totale të furnizimit me ujë, një situatë që ka ezauruar durimin e qytetarëve në prag të festave të fundvitit.

Përplasja me Policinë

Të mbledhur me bidona bosh në duar, protestuesit kanë tentuar të çajnë kordonin e policisë për t’u futur me forcë në ambientet e institucionit vendor. Ata kërkojnë ballafaqim me drejtuesit e Bashkisë, pasi premtimet e dhëna një natë më parë për normalizimin e situatës nuk u mbajtën.

Revolta qytetare: “Po vjen 2026 dhe lahemi me bidona”

Thirrjet e qytetarëve kanë qenë dëshpëruese dhe kërcënuese ndaj klasës politike lokale.

“Duam ujë o maskarenj, pa ujë nuk ka jetë. Kemi 5 ditë pa ujë, po zihemi me fëmijët se duan të lahen. Po vjen viti 2026 dhe ne jemi pa ujë, t’u vijë turp. Ju kemi zgjedhur me vota, i paçit haram votat tona,” dëgjohen të thërrasin banorët.

Disa prej tyre kanë evokuar edhe skenarë të trazirave sociale, duke bërë thirrje: “Ngrihuni si në 1997”.

Nga Gala-ja te protesta

Kjo valë protestash nisi mbrëmjen e djeshme, kur qytetarët e revoltuar hynë me forcë në Teatrin “Petro Marko”, duke ndërprerë mbrëmjen gala që po organizohej nga bashkia për fundvit. Pavarësisht se morën garanci se uji do të rikthehej, mëngjesi i sotëm i gjeti sërish çezmat e vlonjatëve të thata.

Avatar photo
Albin Hoxha
29 December, 11:05 | Përditësimi: 29 December, 11:05