Në mbyllje të vitit 2025, qeveria ka vendosur të rrisë fondet për sektorin e bujqësisë përmes rishikimit të buxhetit me Akt Normativ. Plot 2 miliardë lekë shtesë janë alokuar për t’u shpërndarë te fermerët përmes skemave mbështetëse, duke e çuar totalin e financimit vjetor në 6.4 miliardë lekë (nga 5.3 miliardë që ishte një vit më parë).
Kritika e ekspertëve: Mungon vizioni
Pavarësisht rritjes së fondeve, ekspertët e ekonomisë e konsiderojnë këtë lëvizje të vonuar dhe pa impakt real në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit. Eduart Gjokutaj argumenton se këto para po shpërndahen pa një strategji që lidh prodhimin me tregun.
“Fonde të tilla janë të nevojshme por të pamjaftueshme, sepse nuk shkojnë aty ku duhet: te zinxhiri i produktivitetit dhe qarkullimit. Fondet duhet të vijnë në kohën e duhur për të dhënë efekt. Në këtë formë, ato ngelin më shumë një ndihmë sociale sesa zhvillimore”, shprehet Gjokutaj.
Subvencione për “politikë dite”
Sipas analizës së ekspertëve, alokimet e çastit (ad-hoc) nuk i zgjidhin problemet strukturore të bujqësisë shqiptare. Përkundrazi, ato dobësojnë parashikueshmërinë e bilancit të shtetit.
“Në fund të ditës, këto fonde i shërbejnë politikës së ditës dhe jo funksionit zhvillimor që kërkon bujqësia”, përfundon Gjokutaj, duke theksuar se sektori ka nevojë për reforma thelbësore dhe jo thjesht injeksione financiare në fundvit.
