Debutimi si titullar i Brojës në Premier League: Mediat angleze befasohen nga 86 minutat luftarakë ndaj Newcastle

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Armando Broja, ka shënuar një moment të rëndësishëm në aventurën e tij të re, duke zbritur në fushë si titullar për herë të parë me fanellën e Burnley në Premier League. Përballë një kundërshtari të fortë si Newcastle, shtatlarti kuqezi qëndroi në fushë për plot 86 minuta, duke treguar një formë fizike në rritje dhe një shpirt të lartë gare.

Edhe pse goli ende mungon në statistikat e tij me klubin e ri, performanca e Brojës nuk ka kaluar pa u vënë re nga shtypi britanik. E përditshmja lokale “Burnley Express” e ka analizuar me nota pozitive paraqitjen e tij, duke vlerësuar aftësinë për të mbajtur nën presion të vazhdueshëm mbrojtjen rivale dhe për të luftuar fort për zotërimin e topit të parë, pavarësisht mungesës së mëparshme të ritmit të ndeshjeve. Besimi që trajneri Scott Parker i dha për gati gjithë takimin konsiderohet si një sinjal i qartë se shqiptari po fiton statusin e tij dhe pritet të marrë detyra kyçe në fazën ofensive të ekipit në javët në vijim.

Avatar photo
Albin Hoxha
8 December, 11:07 | Përditësimi: 8 December, 11:07