Brezi i humbur: 30% e të rinjve shqiptarë pa shkollë e pa punë, emigrimi mbetet shpëtimi i vetëm përballë korrupsionit dhe papunësisë

Një analizë e thelluar e situatës demografike dhe sociale në Shqipëri zbulon një realitet të zymtë për atë që po cilësohet si “brezi i humbur”. Mbi një e katërta e të rinjve shqiptarë gjenden sot pa asnjë zanat, pa arsim të përfunduar dhe pa punë (kategorizuar si NEET). Të dhënat tregojnë se për grupmoshën 25–29 vjeç, niveli i pasivitetit arrin në 31.1%, një tregues i dështimit të sistemit për t’i integruar ata në tregun e punës.

Pasojat janë dramatike: në vetëm 13 vite (2011–2024), numri i të rinjve është tkurrur me 45%, duke zbritur në vetëm 405 mijë. Kjo rënie lidhet drejtpërdrejt me emigrimin masiv, ku Shqipëria kryeson listën e OECD me 22.1 emigrantë për 1,000 banorë, duke lënë pas vende si Rumania apo Bullgaria.

Situata rëndohet nga një sistem arsimor që nuk përputhet me tregun dhe që është i gërryer nga korrupsioni. Ndërsa universitetet prodhojnë juristë dhe ekonomistë që përfundojnë të papunë, tregu kërkon inxhinierë dhe zanatçinj. Për më tepër, sondazhet tregojnë se 90% e studentëve pranojnë ekzistencën e korrupsionit në universitete, me raste flagrante të blerjes së notave apo librave të detyruar, veçanërisht në Universitetin Bujqësor dhe atë të Mjekësisë, ku SPAK dhe prokuroritë kanë marrë nën hetim dhjetëra pedagogë.

Avatar photo
Albin Hoxha
8 December, 11:12 | Përditësimi: 8 December, 11:12