Hidhet shorti i Botërorit 2026, Shqipëria në grup me Holandën dhe Kosova me SHBA, Trump merr Çmimin e Paqes

Në Uashington u zhvillua dje ceremonia madhështore e shortit për Kupën e Botës 2026, e para në histori që do të organizohet me formatin e zgjeruar prej 48 skuadrash. Eventi, i drejtuar nga kreu i FIFA-s, Gianni Infantino, dhe i shoqëruar nga performanca e Andrea Bocellit, përcaktoi fatin e kombëtareve shqiptare, gjithmonë nëse ato arrijnë të sigurojnë kualifikimin përmes fazës së vështirë të play-off në mars.

Shqipëria, nëse arrin të triumfojë ndaj Polonisë dhe më pas ndaj fituesit të çiftit Ukrainë-Suedi, do të vendoset në Grupin F. Ky konsiderohet një short i vështirë, pasi kuqezinjtë do të përballeshin me fuqinë evropiane Holandën, Japoninë dhe Tunizinë.

Nga ana tjetër, Kosova ka pasur një short më bujar në letër. Nëse Dardanët kalojnë Sllovakinë dhe më pas fituesin mes Turqisë dhe Rumanisë, ata do të jenë pjesë e Grupit D. Aty i presin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australia dhe Paraguaji, një grup që vlerësohet si më i kalueshëm se ai i Shqipërisë.

Ceremonia u shënua edhe nga një moment i veçantë politik, ku presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u nderua nga FIFA me Çmimin e Paqes dhe një medalje. Gjatë dhënies së çmimit, u theksua roli i tij në ndalimin e konflikteve të ndryshme, përfshirë atë mes Kosovës dhe Serbisë, tensionet Indi-Pakistan dhe luftën në Kongo.

Avatar photo
Albin Hoxha
6 December, 13:31 | Përditësimi: 6 December, 13:31