Lojë nervash në Detin e Kinës Lindore/ Anijet luftarake ballë për ballë, shkak Ishujt Senkaku dhe Tajvani

Ujërat e diskutueshme të Detit të Kinës Lindore janë bërë sërish arenë e një konfrontimi të rrezikshëm mes dy fuqive aziatike. Të martën, rojet bregdetare të Pekinit dhe Tokios janë përfshirë në manovra të tensionuara pranë arkipelagut të pabanuar, i njohur si Ishujt Senkaku nga japonezët dhe Diaoyu nga kinezët.

Incidenti ka prodhuar dy narrativa të kundërta. Pekini zyrtar pretendon se ndërhyri për të paralajmëruar një peshkarexhë japoneze që kishte shkelur “ilegalisht” ujërat territoriale kineze. Nga ana tjetër, Roja Bregdetare Japoneze raportoi se ishin anijet kineze ato që po kërcënonin peshkatarët, duke detyruar patrullat japoneze të ndërhyjnë për t’i dëbuar dhe për të siguruar mjetin e peshkimit.

Ky episod vjen në një moment kritik diplomatik, pas deklaratave të ashpra të Kryeministres japoneze Sanae Takaichi. Qëndrimi i saj se Tokio mund të reagojë ushtarakisht nëse Kina sulmon Tajvanin (që ndodhet vetëm 160 km larg ishujve në konflikt), ka rritur ndjeshëm temperaturat gjeopolitike. Statistikat tregojnë se prezenca e anijeve kineze në zonë ka thyer rekorde vitet e fundit, duke e kthyer këtë rrip uji në një nga pikat më të nxehta të globit.

Avatar photo
Albin Hoxha
2 December, 11:51 | Përditësimi: 3 December, 10:40