Vjosa në Vëmendje, Fieri i Gatshëm për Shqetësime të Mundshme

Qarku i Fierit ka kaluar natën e shkuar pa incidente të mëdha, përkundër reshjeve të shiut me intensitet të ndryshueshëm. Megjithatë, autoritetet kanë vënë në gjendje alarmi strukturat për shkak të rritjes së nivelit të lumit Vjosë.

Sipas një raporti të Mbrojtjes Civile, gjatë natës u regjistruan shiune, ndonjëherë edhe me intensitet të lartë, por deri më tani nuk janë raportuar situata problematike në terren. Akset kryesore dhe rurale janë të lira për qarkullim, furnizimi me energji elektrik dhe me ujë të pijshëm janë stabil.

Fokusi kryesor i vëmendjes mbetet niveli i lumit Vjosë. Me një matje prej 5.5 metra në urën e Memaliajt, autoritetet po marrin masa proaktive.

“Po njoftojmë dhe koordinohemi me të gjitha Njësitë Administrative përgjatë rrjedhës së Vjosës për të rritur gatishmërinë,” u theksua nga Drejtoria e Mbrojtjes Civile.

Rritja e nivelit të ujit është pasojë e reshjeve të bollshme në qarkun e Gjirokastrës dhe zonat e sipërme të lumit. Ndërsa situata në Fier është normale për momentin, autoritetet mbajnë vigjilencë të lartë për çdo zhvillim të mundshëm.

Avatar photo
Albin Hoxha
19 November, 09:20 | Përditësimi: 19 November, 09:20