
Partia Demokratike ka publikuar dokumente që, sipas saj, tregojnë një konflikt të hapur interesi mes Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, dhe djalit të tij, Klajdi Begaj.
Sipas denoncimit të bërë nga Gazmend Bardhi, Klajdi Begaj ka përfituar 30 mijë euro gjatë vitit 2023 nga kompania e sigurimeve ANSIG, në të cilën është i punësuar. Kjo kompani ofron shërbime sigurimesh për Presidencën e Republikës, institucion që drejtohet nga vetë Bajram Begaj.
PD pretendon se bëhet fjalë për një rast të pastër përfitimi të paligjshëm, pasi Presidenca paguan ANSIG për sigurimet e jetës dhe shëndetit të stafit, ndërsa i biri i Presidentit rezulton punonjës i kësaj kompanie.
“Bajram Begaj i jep para kompanisë përmes kontratës zyrtare, dhe kompania paguan djalin e tij. Ky është korrupsion i pastër shtetëror,” deklaroi Gazmend Bardhi, duke shtuar se djali i kreut të shtetit paguhet nga ANSIG edhe pse jeton dhe punon në Gjermani.
PD ka kërkuar hetim parlamentar dhe madje shkarkimin e Presidentit, duke e konsideruar këtë rast “simbol të përfitimit nga pushteti në majën e shtetit”.
Nga ana e tij, Presidenti Bajram Begaj nuk ka reaguar ende publikisht për akuzat e opozitës