Rama ironizon Bashën: Nuk dal kurrë para teje kur vjen puna te Amerika, ata ty të kanë këtu!
Kryeministri Edi Rama ka vijuar përplasjen publike me ish,kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një reagimi ironik në rrjetet sociale.
Në një video të publikuar mbrëmjen e së mërkurës, Rama ka komentuar deklaratat e Bashës lidhur me rikthimin e ndikimit amerikan në drejtësinë shqiptare, duke thënë me ironi:
“Nëse ti thua që janë kthyer fuqishëm, atëherë me siguri kështu është! Nuk dal kurrë para teje kur vjen puna te Amerika, ata ty të kanë këtu!”
Rama vijoi me batuta dhe ironizime ndaj mënyrës se si Basha zhvillon komunikimin me të rinjtë:
“Po ti ke ftuar ata të rinjtë aty, fol njëherë me ata që ke përballë, se s’ka lezet t’i ftosh dhe të flasësh me të tjerë në ekran. Edhe bufi e di që ku je ti, është edhe Rama, jo më të mos e dijë ‘ajo euroatlantikja’, siç e quan Taulanta.”
Nga ana tjetër, Basha në një koment replikues tha:
“Unë nuk e kam në terezi këtë lojë, se po ta kisha, nuk do futesha fare në këtë betejë.”
Rama nuk ngurroi të vazhdojë ironinë, duke shtuar:
“Po ti s’ke nevojë të bësh marrëveshje me Ramën, ti Ramën e mund edhe në gjumë, e mbyt!”
Në fund, Basha iu përgjigj me një thumb tjetër:
“Më ke ngatërruar o Ali, mos më ngatërro me shokun Sali, ai bashkoi votat me Ramën.”
Përplasjet e ashpra verbale mes dy liderëve politikë po shoqërojnë fushatën elektorale në prag të zgjedhjeve të 11 majit, ndërsa ironitë në rrjetet sociale janë kthyer në një nga format kryesore të komunikimit mes tyre.
