Serbia ka vendosur të mos e zhvillojë në Beograd supersfidën ndaj Shqipërisë. Pas trazirave të rënda në ndeshjen me Anglinë, me incidente mes tifozëve, kore fyese dhe lazer ndaj lojtarëve kundërshtarë, FIFA pritet të japë një dënim të rëndë për Federatën serbe.
Përpara vendimit përfundimtar, federata serbe ka kërkuar zhvendosjen e ndeshjes në Leskovac, në një stadium më të vogël me vetëm 8 mijë vende, ku kontrolli i situatës është më i lehtë dhe rreziku nga huliganët është minimal.
Sekretari i FSS, Branko Radujko, ka pranuar se kjo lëvizje është e domosdoshme, pasi një zhvillim i ndeshjes në Beograd mund t’i sillte Serbisë humbje 0-3 në tavolinë në rast incidentesh.
Përballja Serbi–Shqipëri pritet të vendosë fatin e vendit të dytë në grup dhe shanset për kualifikim në Botëror, duke u shndërruar në një finale të vërtetë pas vetëm tre javësh.
