
Një vatër e rrezikshme zjarri është aktivizuar pasditen e sotme në një zonë pyjore pranë uzinës së Poliçanit, duke përparuar drejt “Zonës C”, ku ndodhen magazinat me lëndë plasëse.
Zjarri është përhapur me shpejtësi dhe ka vënë në alarm autoritetet, të cilat kanë angazhuar njësi zjarrfikëse, ushtrinë, si dhe një helikopter nga Baza Ajrore e Kuçovës, për ndërhyrje nga ajri.
Situata më problematike mbetet pikërisht në afërsi të magazinave të rrezikshme, për shkak të afërsisë me lagjen Kalluç, që ndodhet vetëm 200 metra larg dhe përballet me një rrezik real shpërthimi në rast përkeqësimi të situatës.
Në vendngjarje ndodhet edhe kryetari i Bashkisë, Adriatik Zotka, i cili i ka bërë thirrje autoriteteve qendrore për mbështetje të menjëhershme. Ai është parë duke drejtuar aksionin e zjarrfikësve, ndërsa ka paralajmëruar rrezikun e madh që paraqet ky zjarr për qytetarët.
Për momentin, përpjekjet për shuarjen e flakëve vijojnë me intensitet të lartë, ndërsa banorët kërkohet të tregojnë kujdes dhe vigjilencë.