
Në vijim të aksionit për çlirimin e hapësirave publike, kryeministri Edi Rama ka sulmuar publikisht gjyqtarin e Gjykatës Administrative, Hazbi Balliu, duke e cilësuar si pjesë të “llogores së antiligjit” dhe duke e akuzuar se ka penguar konfiskimin e një godine pa leje.
Në një deklaratë të bërë më 1 gusht, Rama shkroi:
“Kemi bërë konfiskime dhe do të vazhdojmë të bëjmë, pavarësisht se rrugës na del edhe ndonjë gjykatës i pacipë që merr masë sigurie për një pallat të ndërtuar pa leje…”
Ai kritikoi edhe institucionet e sistemit të drejtësisë që, sipas tij, “heshtin për abuzimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i gjyqtarit Hazbi Balliu, i cili në një deklaratë për BIRN, tha:
“Le të sjellë prova që unë jam sjellë si i pacipë! Vendimi im ka qenë procedural dhe brenda ligjit.”
Në thelb të përplasjes është një vendim për sigurim padie, që ka pezulluar përkohësisht tjetërsimin e një godine 6-katëshe në afërsi të Liceut Artistik, ndërtuar nga kompania RT Max, në pronësi të Thanas dhe Robert Biqikut.
Godina ishte në listën e ndërtesave të konfiskuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), por ndryshe nga ndërtues të tjerë, kjo kompani nuk u lejua të përfitojë të drejtën e parablerjes, edhe pse kishte depozituar 10% të vlerës së ndërtimit në Ministrinë e Financave.
Rasti ka hedhur dritë mbi dy standarde në zbatimin e vendimeve për konfiskimin e ndërtimeve pa leje dhe ka ringjallur debatin për ndarjen e pushteteve dhe presionin ndaj drejtësisë.