Shqipëria po përballet me një valë zjarresh në të gjithë territorin

Shqipëria po përballet me një valë të përhapur zjarresh në të gjithë territorin, ku deri në orën 13:00 janë evidentuar 26 vatra, nga të cilat 17 janë ende aktive, ndërsa 9 janë nën monitorim. Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 634 forca bashkiake, 284 efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe 36 mjete zjarrfikëse.

Zonat më të prekura përfshijnë:

  • Qarku Dibër: Vatra aktive në Parkun Kombëtar të Lurës, Zall Gjoçaj dhe Livadhet e Peladhisë. Ndihmë ajrore është kërkuar për zonat më të vështira.
  • Qarku Vlorë: Flakët vazhdojnë në Dukat, Kalasë (Delvinë), Ploç, Sevaster dhe Markat (Konispol). Për shkak të erës dhe municioneve luftarake në terren, ndërhyrja në disa zona është e kufizuar.
  • Qarku Elbasan: Aktivitet i lartë në Shmil (Dritas), pyjet e Gurakuqit (Librazhd), dhe në Gramsh. Puna po vijon me mbështetje të FA dhe forcave vendore.
  • Qarku Lezhë: Zjarri në Shkopet përhapet drejt Mirditës dhe Matit. Janë angazhuar mbi 80 forca dhe dy helikopterë hungarezë kanë realizuar mbi 30 ndërhyrje ajrore.
  • Qarku Korçë: Vatra të reja në Dishnicë (Bulgarec), Trestenik (Devoll), Strelcë (Maliq) dhe Kriçkovë (Pogradec).
  • Qarku Berat: Zjarre në Muzhakë (Skrapar), Konisbaltë (Dimal/Berat), Lybeshë dhe Zgërbon (Poliçan). Situata kryesisht nën kontroll.
  • Qarku Gjirokastër: Zjarre në zonën e Skërficës dhe në fshatin Levan (Memaliaj). Rreziku për zonat e banuara është i ulët për momentin.
  • Qarku Kukës: Vatra në Grykën e Motinës mbi fshatin Dragobi, brenda Parkut Kombëtar të Alpeve. Terreni malor vështirëson ndërhyrjen.

Autoritetet lokale dhe emergjencat civile vijojnë të ndjekin situatën në kohë reale, ndërsa paralajmërojnë rrezik të shtuar për shkak të temperaturave të larta dhe erërave që favorizojnë përhapjen e flakëve.