Përplasen dy Jet Ski në det në Golem, plagoset 31-vjeçari nga Kosova – i shoqëruar drejtuesi tjetër nga Çorovoda

Përplasen motorat e ujit, plagoset i riu në plazh në Kavajë

Një aksident detar ka ndodhur pasditen e së shtunës në zonën turistike të Golemit, Kavajë, ku dy motora uji (Jet Ski) janë përplasur mes tyre gjatë lundrimit, duke lënë të plagosur një 31-vjeçar nga Kosova.

Sipas të dhënave paraprake të Policisë Kufitare, ngjarja ndodhi rreth orës 17:36 në vendin e quajtur “Manhatan”, rreth 800 metra larg perimetrit të sigurisë ujore, në një zonë të lejuar për lundrim.

Të përfshirë në aksident ishin:

  • S. D., 25 vjeç, lindur në Çorovodë, drejtues i një Jet Ski;
  • P. B., 31 vjeç, lindur në Kosovë, drejtues i një tjetër Jet Ski.

Si pasojë e përplasjes, P. B. pësoi dëmtime fizike dhe u transportua menjëherë në spital nga patrulla e Policisë Kufitare që po monitoronte vijën bregdetare. Burime zyrtare konfirmojnë se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, shtetasi S. D. është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Kavajë për veprime të mëtejshme procedurale dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Sipas verifikimeve të para, të dy drejtuesit po lundronin në bashkëpunim dhe ishin të pajisur me jelekë shpëtimi në momentin e ngjarjes.

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore që mund të ngrihen ndaj palëve të përfshira