Rama kërkon dorëheqjen e drejtorëve në Bashkinë e Fierit pas aksionit për lirimin e hapësirave publike

 Kryeministri Edi Rama ka kërkuar dorëheqjen e disa drejtorëve në Bashkinë e Fierit, si pasojë e mosreagimit ndaj zaptimit të hapësirave publike në qytet.

Në një takim me dyer të mbyllura, zhvilluar sot në Fier me drejtues vendorë dhe deputetë të zonës, Rama ka shprehur pakënaqësinë e tij për situatën e krijuar, duke folur me tone të ashpra për tolerimin e zaptuesve dhe mungesën e zbatimit të ligjit.

Burime nga takimi bëjnë me dije se Kryeministri ka kërkuar llogari për mungesën e veprimeve konkrete nga strukturat vendore dhe i ka kërkuar drejtorëve përgjegjës të japin dorëheqjen, duke theksuar se askush nuk mund të qëndrojë në detyrë nëse nuk respekton detyrimet ligjore dhe angazhimin ndaj interesit publik.

Ky zhvillim vjen në vazhdën e aksioneve të Policisë Bashkiake dhe institucioneve ligjzbatuese për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme, një problem që është kthyer në shqetësim të vazhdueshëm për qytetarët.