Sekuestrohen 4 milionë euro pasuri të Suel Çelës dhe vëllait në Itali, dyshohen për pastrim parash nga mafia shqiptare

Autoritetet italiane kanë publikuar pamjet e një operacioni të gjerë të zhvilluar në Verona, ku janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 4 milionë euro, në pronësi të Suel dhe Mario Çelës, vëllezër shqiptarë me origjinë nga Elbasani.

Sipas mediave italiane, pasuritë janë sekuestruar si rezultat i hetimeve për pastrim parash, të ardhura nga trafiku ndërkombëtar i kokainës, që dyshohet se është kryer nga një klan kriminal shqiptar me lidhje me mafien në Amerikën e Jugut dhe në Europë.

Operacioni është zhvilluar nga Guardia di Finanza e Veronës, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit në Shqipëri. Hetuesit thonë se paratë e trafikut janë investuar në pasuri të paluajtshme, kompani dhe fonde financiare në territorin italian.

Njëri nga vëllezërit ndodhet në burg në Belgjikë, i arrestuar në qershor 2024 në Verona për përfshirje në një vrasje mafioze në Antverpen, ndërsa tjetri është në kërkim ndërkombëtar.

Pamjet filmike të sekuestrimeve tregojnë ndërhyrje në disa prona luksoze dhe biznese, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur gjithë rrjetin e lidhur me aktivitetin kriminal.