
Tiranë/ Ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu qëndron në burg, GJKKO rrëzon kërkesën për masë më të butë sigurie
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-gjyqtaren e Elbasanit, Pajtime Fetahu, e akuzuar për lidhje me dy grupe të fuqishme kriminale në vend: atë të Suel Çelës dhe klanit “Çopja”.
Vendimi i Apelit erdhi pas ankimimit të Fetahut ndaj masës së paraburgimit, duke kërkuar një masë më të butë si arrest shtëpie, por kërkesa e saj u refuzua.
Sipas hetimeve të SPAK, Fetahu dyshohet se ka marrë ryshfet nga të dyja organizatat kriminale për të ndikuar në vendime gjyqësore në favor të anëtarëve të tyre, përfshirë vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja.
Ish-gjyqtarja është arrestuar fillimisht në muajin korrik dhe ndodhet aktualisht në paraburgimin e sigurisë së lartë në Pojskë të Pogradecit.
SPAK ka ngritur ndaj saj akuza për “korrupsion pasiv i gjyqtarëve”, “shpërdorim detyre” dhe “bashkëpunim me grup të strukturuar kriminal”. Hetimet për këtë çështje janë ende në vijim dhe mund të zgjerojnë më tej numrin e të përfshirëve.