Sarandë/Ngjarje e dyshimtë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Konispol. Më datë 07.07.2025, rreth orës 03:45, është paraqitur në spitalin rajonal të Sarandës shtetasi S. H., 44 vjeç, banues në fshatin Markat, me një plagë të shkaktuar nga armë gjahu në këmbë. Burime zyrtare bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas deklarimit të tij fillestar, 44-vjeçari është qëlluar aksidentalisht nga një gjuetar ende i paidentifikuar, në zonën mes fshatrave Shalës dhe Vagalat, në territorin e Bashkisë Konispol.
Gjatë verifikimeve, policia ka konstatuar se ky shtetas rezulton i shpallur në kërkim për veprën penale “Keqtrajtim i të miturve”.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin e personit të armatosur dhe për të verifikuar vërtetësinë e deklarimeve të dhëna nga i plagosuri
